Eksodi 29:30-46 Bibla Shqip (ALBB)

30. Ai bir që bëhet prift në vend të tij do t'i veshë ato për shtatë ditë, kur do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbesën në vendin e shenjtë.

31. Pastaj do të marrësh dashin e shenjtërimit dhe do ta gatuash mishin e tij në një vend të shenjtë;

32. dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë, në hyrje të çadrës së mbledhjes, mishin e dashit dhe bukën që është në shportë.

33. Do të hanë gjërat që kanë shërbyer për të bërë shlyerjen për t'u shuguruar dhe shenjtëruar; por asnjë i huaj nuk do të hajë prej tyre, sepse janë gjëra të shenjta.

34. Dhe në qoftë se tepron mish i shenjtërimit ose bukë deri në mëngjes, do të djegësh atë që mbetet në zjarr; nuk do ta hahet, sepse është e shenjtë.

35. Do të bësh, pra, për Aaronin dhe për bijtë e tij të gjitha ato që të kam urdhëruar: do t'i shenjtërosh brenda shtatë ditëve.

36. Dhe çdo ditë do të ofrosh një dem të vogël, si flijim për mëkatin, për të larë fajin që ke bërë dhe do ta vajosësh për ta shenjtëruar.

37. Për shtatë ditë do të bësh shlyerjen e fajit për altarin dhe do ta shenjtërosh; altari do të jetë një vend shumë i shenjtë: çdo gjë që do të prekë altarin do të jetë e shenjtë.

38. Kjo është ajo që do të ofrosh mbi altar: dy qengja motakë çdo ditë, përgjithnjë.

39. Njërin prej qengjave do ta ofrosh në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur.

40. Me qengjin e parë do të ofrosh një të dhjetën e efës të majës së miellit të brumosur me një çerek hine vaji thjesht ulliri, dhe një libacion me një çerek hine verë.

41. Qengjin e dytë do ta ofrosh në të ngrysur; do ta shoqërosh me të njëjtin blatim dhe me të njëjtin libacion të mëngjesit; është një flijim parfumi të këndshëm i ofruar nëpërmjet zjarrit për Zotin.

42. Do të jetë një holokaust i përjetshëm për gjithë brezat e ardhshëm, ti ofruar në hyrje të çadrës së mbledhjes, përpara Zotit, kur unë do t'ju takoj për të folur me ty.

43. Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime.

44. Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj.

45. Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.

46. Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre".

Eksodi 29