Eksodi 29:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kjo është ajo që do të bësh për t'i shuguruar në mënyrë që të më shërbejnë si priftërinj. Merr një dem të vogël dhe dy desh pa të meta,

2. disa bukë pa maja, ëmbëlsira pa maja të zëna me vaj dhe revani pa maja të lyer me vaj; (do t'i bësh me majë mielli të grurit).

3. Do t'i vësh në një shportë dhe do t'i çosh bashkë me demin e vogël dhe dy deshtë.

4. Do ta afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrjen e çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.

5. Pastaj do të marrësh rrobat dhe do ta riveshësh Aaronin me tunikën, me mantelin e efodit, me efodin dhe me pektoralin, dhe do t'i ngjeshësh brezin e punuar artistikisht të efodit.

6. Do t'i vësh mbi krye çallmën dhe mbi çallmën do të vësh diademën e shenjtë.

7. Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes, do ta derdhësh mbi kryet e tij dhe do ta vajosësh.

8. Pastaj do t'i afrosh bijtë e tij dhe do t'u riveshësh tunikat.

9. Do t'u ngjeshësh Aaronit dhe bijve të tij brezat dhe do të vësh mbi ta mbulesa kokash; priftëria do t'iu përkasë atyre për gjithë jetën. Kështu do të shugurosh Aaronin dhe bijtë e tij.

10. Pastaj do të afrosh demin e vogël para çadrës së mbledhjes; dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël.

11. Dhe do ta therësh demin e vogël para Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.

12. Do të marrësh pastaj gjakun e demit të vogël dhe do ta vësh me gishtin tënd mbi brirët e altarit, dhe gjithë mbetjen e gjakut do ta derdhësh në këmbët e altarit.

13. Do të marrësh gjithashtu gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën e ngjitur me mëlçinë dhe dy veshkat me dhjamin që kanë sipër, dhe do t'i tymosësh mbi altarin.

14. Por mishin e demit të vogël, lëkurën dhe fëlliqësirat e tij do t'i djegësh me zjarr jashtë kampit: ky është një flijim për mëkatin.

Eksodi 29