23. Pastaj do të bësh mbi pektoral dy unaza prej ari, dhe do t'i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.
24. Pastaj do t'i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;
25. dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t'i lidhësh me të dy rrathët dhe do t'i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.
26. Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t'i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.
27. Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t'i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.
28. Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.
29. Kështu Aaroni do t'i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.
30. Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urimin dhe Thumimin; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.
31. Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.
32. Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.
33. Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;
34. një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.