Eksodi 25:21-39 Bibla Shqip (ALBB)

21. Do ta vësh pastaj pajtuesin lart, mbi arkën; dhe në arkë do të futësh Dëshminë që do të të jap.

22. Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të të njoftoj tërë urdhrat që do të të jap për bijtë e Izraelit.

23. Do të bësh edhe një tryezë prej druri të akacies, e gjatë dy kubitë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.

24. Do ta veshësh me ar safi dhe do t'i bësh rreth e qark një kurorë prej ari.

25. Do t'i bësh rreth e përqark një buzë të lartë një pëllëmbë dore dhe rreth kësaj buze një kurorë prej ari.

26. Do t'i bësh gjithashtu katër unaza ari dhe do t'i vësh unazat në katër qoshet, që ndodhen në katër këmbët e tryezës.

27. Unazat do të jenë pranë buzës për të kaluar shufrat e caktuara që do ta mbajnë tryezën.

28. Shufrat do t'i bësh me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar; ato do të shërbejnë për të mbajtur tryezën.

29. Do të përgatisësh edhe pjatat e tij, gotat e tij, kupat e tij dhe filxhanët e tij me të cilët bëhen libacionet; dhe do t'i bësh me ar safi.

30. Dhe do të vësh mbi tryezë bukën e paraqitjes, që do të rrijë vazhdimisht para meje.

31. Do të përgatisësh një shandan prej ari safi; shandani, këmba dhe trungu i tij do të punohen me çekiç; kupat, mollët dhe lulet e tij do të jenë një copë.

32. Nga anët e tij do të dalin gjashtë krahë: tre krahë nga njëra anë e shandanit dhe tre krahë nga ana tjetër e tij;

33. mbi njërin krah do të modelohen tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule, dhe mbi krahun tjetër tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule. Kështu do të veprohet për gjashtë krahët që dalin nga shandani.

34. Në trungun e shandanit do të ketë katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre.

35. Do të ketë një mollë poshtë dy krahëve të parë që dalin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dalin jashtë tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dalin prej shandanit: kështu do të bëhet për të gjashtë krahët që dalin nga shandani.

36. Këto mollë dhe këta krahë, do të përbëjnë tërësinë, shandani do të jetë prej ari safi dhe i punuar me çekiç.

37. Do të bësh edhe shtatë llambat e tij, të cilat duhet të vendosen në mënyrë që të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit.

38. Dhe tërë veglat për të lëvizur qiririn dhe mbajtësin e tij do të jenë prej ari safi.

39. Shandani dhe veglat e tij do të bëhen me një talent prej ari të papërzier.

Eksodi 25