13. Do të bësh edhe disa shtiza prej druri të akacies dhe do t'i veshësh me ar.
14. Pastaj do t'i kalosh shtizat nëpër unazat e arkës, për ta mbajtur.
15. Shtizat do të qëndrojnë në unazat e arkës; nuk do të hiqen prej asaj.
16. Dhe në arkë do të vësh Dëshminë që do të të jap.
17. Do të bësh edhe një pajtues prej ari safi; gjatësia e tij do të jetë dy kubitë e gjysmë, dhe gjerësia e tij një kubit e gjysmë.
18. Do të bësh pastaj dy kerubinë prej ari; këta do të punohen me çekiç në të dy skajet e pajtuesit;
19. bëje një kerubin në një nga skajet dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët do t'i bëni prej një cope të vetme me pajtuesin në skajet e tij.
20. Dhe kerubinët do t'i kenë krahët e hapura me drejtim lart, në mënyrë që të mbulojnë pajtuesin me krahët e tyre; do të kenë drejtim nga njëri tjetri, ndërsa fytyrat e kerubinëve do të jenë të kthyera në drejtim të pajtuesit.
21. Do ta vësh pastaj pajtuesin lart, mbi arkën; dhe në arkë do të futësh Dëshminë që do të të jap.
22. Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të të njoftoj tërë urdhrat që do të të jap për bijtë e Izraelit.
23. Do të bësh edhe një tryezë prej druri të akacies, e gjatë dy kubitë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.
24. Do ta veshësh me ar safi dhe do t'i bësh rreth e qark një kurorë prej ari.
25. Do t'i bësh rreth e përqark një buzë të lartë një pëllëmbë dore dhe rreth kësaj buze një kurorë prej ari.
26. Do t'i bësh gjithashtu katër unaza ari dhe do t'i vësh unazat në katër qoshet, që ndodhen në katër këmbët e tryezës.
27. Unazat do të jenë pranë buzës për të kaluar shufrat e caktuara që do ta mbajnë tryezën.
28. Shufrat do t'i bësh me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar; ato do të shërbejnë për të mbajtur tryezën.
29. Do të përgatisësh edhe pjatat e tij, gotat e tij, kupat e tij dhe filxhanët e tij me të cilët bëhen libacionet; dhe do t'i bësh me ar safi.