Eksodi 2:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?".

14. Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë".

15. Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Midianit; dhe u ul afër një pusi.

16. Por prifti i Midianit kishte shtatë bija; dhe ato erdhën për të mbushur ujë dhe për të mbushur koritat për t'i dhënë të pijë kopesë së atit të tyre.

17. Por erdhën disa barinj dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit dhe u erdhi në ndihmë, duke i dhënë të pijë kopesë së tyre.

18. Kur shkuan te Reueli, ati i tyre, ai u tha: "Vallë si u kthyet kaq shpejt sot?".

19. Ato u përgjigjën: "Një egjiptas na liroi nga duart e barinjve; përveç kësaj mbushi ujë për ne dhe i dha të pijë kopesë".

20. Atëherë ai u tha bijave të tij: "Po ai ku është? Pse e latë këtë njeri? Thirreni, të vijë të hajë".

21. Dhe Moisiu pranoi të banojë tek ai njeri; dhe ai i dha Moisiut për grua bijën e tij, Seforën.

22. Pastaj ajo lindi një bir që ai e quajti Gershom, sepse tha: "Unë jam mik në dhe të huaj".

23. Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia.

24. Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin.

Eksodi 2