Eksodi 19:12-25 Bibla Shqip (ALBB)

12. Ti do të përcaktosh rreth e qark kufij për popullin dhe do të thuash: Ruhuni se ngjiteni në mal ose prekni skajet e tij. Kushdo që do të prekë malin do të dënohet me vdekje.

13. Asnjë dorë nuk do ta prekë, por do të vritet me gurë ose do të shpohet me shigjeta, qoftë njeri ose kafshë; nuk do të mbetet gjallë. Kur briri të dëgjohet shtruar, atëherë të ngjiten mbi mal".

14. Kështu Moisiu zbriti nga mali drejt popullit; shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat e tyre.

15. Pastaj i tha popullit: "Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave".

16. Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.

17. Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.

18. Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.

19. Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.

20. Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.

21. Dhe Zoti i tha Moisiut: "Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.

22. Edhe priftërinjtë që do t'i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre".

23. Moisiu i tha Zotit: "Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: "Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje"".

24. Por Zoti i tha: "Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t'u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre".

25. Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.

Eksodi 19