9. Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".
10. Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.
11. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
12. "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".
13. Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.
14. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.
15. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.
16. Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij".
17. Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak.
18. E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangët. Gjithkush mblodhi sipas nevojës së tij për ushqim.
19. Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes".