Eksodi 16:13-27 Bibla Shqip (ALBB)

13. Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.

14. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.

15. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.

16. Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij".

17. Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak.

18. E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangët. Gjithkush mblodhi sipas nevojës së tij për ushqim.

19. Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes".

20. Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe; dhe Moisiu u zemërua me ta.

21. Kështu e mblidhnin çdo mëngjes; secili sipas nevojës së tij për ushqim; por kur dielli bëhej i nxehtë, mana e mbledhur shkrihej.

22. Kështu ditën e gjashtë mblodhën një racion të dyfishtë buke, dy omerë për secilin prej tyre. Dhe të gjithë krerët e asamblesë erdhën për t'ia referuar Moisiut.

23. Atëherë ai u tha: "Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, një e shtunë e shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër".

24. Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba.

25. Moisiu tha: "Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat.

26. Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më".

27. Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën.

Eksodi 16