1. Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit.
2. Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.
3. Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".
4. Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo sipas ligjit tim.
5. Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".
6. Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit;
7. dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?".
8. Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit".