2. Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qenë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3. Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4. Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5. Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6. E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
7. Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjerr jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
8. Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.
9. Armiku thoshte: "Do t'i ndjek, do t'i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t'i shfarosë".
10. Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.
11. Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?
12. Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.
13. Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë.
14. Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës.