Eksodi 10:17-26 Bibla Shqip (ALBB)

17. Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse".

18. Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit.

19. Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit.

20. Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin.

21. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë".

22. Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë.

23. Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre.

24. Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju".

25. Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe holokauste, që t'ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë.

26. Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t'i shërbejmë Zotit, derisa të arrijmë atje poshtë".

Eksodi 10