12. Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë.
13. Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?"
14. Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".
15. Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.
16. Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".
17. Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".