Danieli 7:2-8 Bibla Shqip (ALBB)

2. Danieli, pra, filloi të thotë: "Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,

3. dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njëra ndryshe nga tjetra.

4. E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja derisa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.

5. Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: "Çohu, ha shumë mish".

6. Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.

7. Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.

8. Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.

Danieli 7