2. dhe mbi ta kishte tre prefektë, nga të cilët njëri ishte Danieli, të cilëve këta satrapë duhet t'u jepnin llogari, më qëllim që mbreti të mos pësonte asnjë dëm.
3. Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë.
4. Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.
5. Atëherë këta njerëz thanë: "Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë së tij."
6. Atëherë ata prefektë dhe satrapë u mblodhën me zhurmë para mbretit dhe i thanë: "O mbreti Dar, jetofsh për jetë!
7. Tërë prefektët e mbretërisë, qeveritarët dhe satrapët, këshilltarët dhe komandantët u konsultuan bashkë për të nxjerrë një vendim mbretëror dhe për të bërë një dekret të prerë, në bazë të të cilëve kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t'i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.
8. Tani, o mbret, nxirr dekretin dhe firmos dokumentin, në mënyrë që të mos ndryshohet dot në pajtim me ligjin e medasve dhe të persianëve, që është i parevokueshëm".
9. Pastaj mbreti Dari nënshkroi dokumentin dhe dekretin.
10. Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.
11. Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përgjërohej Perëndisë së tij.
12. Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: "A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?". Mbreti u përgjigj dhe tha: "Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e medasve dhe të persianëve, që nuk mund të ndryshohet".
13. Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: "Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë së tij".
14. Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq derisa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.
15. Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: "Dije, o mbret, që është ligj i medasve dhe i persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet".
16. Atëherë mbreti dha urdhër dhe Danieli u çua tutje dhe u hodh në gropën e luanëve. Por mbreti i foli Danielit dhe i tha: "Perëndia jote, së cilës ti i shërben vazhdimisht, do të vijë vetë të të shpëtojë".
17. Pastaj sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës; mbreti e vulosi me unazën e tij, me unazën e të mëdhenjve të tij, në mënyrë që vendimi i tij lidhur me Danielin të mos ndryshohej.