17. Pastaj sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës; mbreti e vulosi me unazën e tij, me unazën e të mëdhenjve të tij, në mënyrë që vendimi i tij lidhur me Danielin të mos ndryshohej.
18. Atëherë mbreti u tërhoq në pallatin e tij dhe kaloi natën duke agjëruar; nuk sollën para tij asnjë muzikant, madje edhe gjumi e braktisi.
19. Të nesërmen në mëngjes mbreti u zgjua shumë herët dhe shkoi me nxitim në gropën e luanëve.
20. Me të arritur pranë gropës, thirri Danielin me zë zemërthyer; mbreti filloi t'i thotë Danielit: "Daniel, shërbëtor i Perëndisë të gjallë, Perëndia yt, a ka mundur të të shpëtojë nga luanët?".
21. Atëherë Danieli i tha mbretit: "O mbret, jetofsh përjetë!
22. Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe".
23. Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.