Danieli 5:6-12 Bibla Shqip (ALBB)

6. Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjat e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre.

7. Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t'u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".

8. Atëherë hynë tërë të diturit e mbretit, por nuk mundën të lexojnë shkrimin as t'i bëjnë të njohur mbretit interpretimin e tij.

9. Atëherë mbreti Belshatsar u turbullua shumë, pamja e tij ndryshoi dhe të mëdhenjtë e tij e humbën fare.

10. Mbretëresha, për shkak të fjalëve të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, hyri në sallën e banketit. Mbretëresha filloi të thotë: "O mbret, jetofsh përjetë! Mendimet e tua të mos të shqetësojnë dhe pamja jote të mos ndryshojë.

11. Është një njeri në mbretërinë tënde, tek i cili është fryma e perëndive të shenjtë, dhe në kohën e atit tënd u gjet tek ai dritë, mendje dhe dituri të ngjashme me diturinë e perëndive; mbreti Nebukadnetsar, ati yt, ati yt mbreti, e caktoi në krye të magjistarëve, të astrologëve, të kaldeasve dhe të shortarëve,

12. sepse te ky Daniel, të cilit mbreti i kishte vënë emrin Beltshatsar, u gjet një frymë e jashtëzakonshme, njohuri, zgjuarsi, zotësi për të interpretuar ëndrrat, për të shpjeguar enigmat dhe për të zgjidhur çështje të ngatërruara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do të japë interpretimin".

Danieli 5