19. Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.
20. Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.
21. Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, derisa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.
22. Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;
23. përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.
24. Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.
25. Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.