1. Mbreti Belshatsar dha një banket të madh për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij dhe në prani të të njëmijëve piu verë.
2. Ndërsa shijonte verën, Belshatsari dha urdhër të sillnin vazot prej ari dhe prej argjendi që i ati Nebukadnetsari kishte marrë nga tempulli që ishte në Jeruzalem, me qëllim që me to të pinin mbreti dhe të mëdhenjtë që ishin me të, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
3. Kështu prunë vazot prej ari që i kishin marrë nga shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që ishte në Jeruzalem, dhe me to pinë mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
4. Pinë verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.
5. Në atë çast u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë përballë shandanit mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror; dhe mbreti pa pjesën e asaj dore që shkruante.
6. Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjat e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre.
7. Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t'u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".
8. Atëherë hynë tërë të diturit e mbretit, por nuk mundën të lexojnë shkrimin as t'i bëjnë të njohur mbretit interpretimin e tij.
9. Atëherë mbreti Belshatsar u turbullua shumë, pamja e tij ndryshoi dhe të mëdhenjtë e tij e humbën fare.
10. Mbretëresha, për shkak të fjalëve të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, hyri në sallën e banketit. Mbretëresha filloi të thotë: "O mbret, jetofsh përjetë! Mendimet e tua të mos të shqetësojnë dhe pamja jote të mos ndryshojë.
11. Është një njeri në mbretërinë tënde, tek i cili është fryma e perëndive të shenjtë, dhe në kohën e atit tënd u gjet tek ai dritë, mendje dhe dituri të ngjashme me diturinë e perëndive; mbreti Nebukadnetsar, ati yt, ati yt mbreti, e caktoi në krye të magjistarëve, të astrologëve, të kaldeasve dhe të shortarëve,
12. sepse te ky Daniel, të cilit mbreti i kishte vënë emrin Beltshatsar, u gjet një frymë e jashtëzakonshme, njohuri, zgjuarsi, zotësi për të interpretuar ëndrrat, për të shpjeguar enigmat dhe për të zgjidhur çështje të ngatërruara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do të japë interpretimin".
13. Atëherë Danielin e sollën në prani të mbretit; mbreti i foli Danielit dhe i tha: "A je ti Danieli, një nga të mërguarit e Judës, që mbreti, ati im, solli nga Juda?