15. Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të psalterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t'ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila është ajo perëndi që do të mund t'ju çlirojë nga duart e mia?
16. Shadraku, Meshaku dhe Abed-Nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.
17. Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.
18. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".
19. Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-Negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.
20. Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-Negon dhe t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.
21. Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.