14. Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta dhe të matura Ariokut, komandant i rojeve të mbretit, i cili kishte dalë për të vrarë të diturit e Babilonisë.
15. Mori fjalën dhe i tha Ariokut, komandantit të mbretit: "Pse vallë një dekret kaq i ashpër nga ana e mbretit?" Atëherë Arioku e vuri në dijeni Danielin.
16. Kështu Danieli hyri te mbreti dhe i kërkoi t'i jepte kohë për t'i bërë të njohur mbretit interpretimin e ëndrrës.
17. Atëherë Danieli shkoi në shtëpinë e vet dhe ua bëri të ditur këtë gjë shokëve të tij Hananiah, Mishael dhe Azaria,
18. me qëllim që t'i kërkonin mëshirë Perëndisë të qiellit lidhur me këtë sekret, me qëllim që Danieli dhe shokët e tij të mos vriteshin bashkë me kusurin e njerëzve të ditur të Babilonisë.
19. Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.
20. Danieli filloi të thotë: "Qoftë i bekuar emri i Perëndisë përjetë, sepse atij i përkasin dituria dhe forca.
21. Ai ndryshon kohërat dhe stinët, i ul mbretërit dhe i larton, u jep dituri të urtëve dhe dije atyre që kanë mend.
22. Ai tregon gjërat e thella dhe të fshehta, njeh atë që është në terr dhe drita qëndron me të.
23. O Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj, sepse më ke dhënë dituri dhe forcë dhe më ke bërë të njoh atë që të kemi kërkuar, duke na bërë të njohim gjënë e kërkuar nga mbreti".
24. Prandaj Danieli shkoi te Arioku, të cilit mbreti i kishte besuar detyrën të vriste njerëzit e ditur të Babilonisë; shkoi dhe i tha kështu: "Mos i vrit njerëzit e ditur të Babilonisë! Më ço përpara
25. Atëherë Arioku e çoi me nxitim Danielin përpara mbretit dhe i foli kështu: "Gjeta midis judenjve robër një njeri që do t'i njohë mbretit interpretimin".
26. Mbreti filloi t'i thotë Danielit, që quhej Beltshatsar: "A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?".
27. Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: "Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t'i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët.
28. Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.
29. O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.
30. Sa për mua, ky sekret m'u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t'i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.
31. Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme.