Danieli 11:17-28 Bibla Shqip (ALBB)

17. Pastaj do të vendosë të vijë me forcat e gjithë mbretërisë së tij, duke ofruar kushte të ndershme paqeje, dhe kështu ka për të bërë. Do t'i japë të bijën për grua për ta korruptuar, por ajo nuk do të mbajë anën e tij dhe nuk do ta favorizojë atë.

18. Pastaj do t'u drejtohet ishujve dhe do të shtjerë në dorë shumë prej tyre, por një komandant do të bëjë që të marrë fund arroganca e tij, duke bërë që ajo të bjerë mbi të.

19. Pastaj do të kthehet drejt fortesave të vendit të vet, por do të pengohet, do të rrëzohet dhe nuk do të gjendet më.

20. Në vend të tij do të dalë dikush që do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë; por brenda pak ditëve ai do të zhduket, por jo në zemërim a në betejë.

21. Në vend të tij do të dalë një njeri i neveritshëm, që nuk do të ketë dinjitet mbretëror; ai do të vijë paqësisht, por do ta shtjerë në dorë mbretërinë me intriga.

22. Para tij forcat e mëdha do të thyhen dhe do të shkatërrohen, po ashtu edhe kreu i një aleance.

23. Menjëherë pasi të ketë lidhur një aleancë me të, ai do të veprojë me pabesi dhe do të arrijë në pushtet me pak njerëz.

24. Ai do të hyjë në mënyrë paqësore edhe në pjesët më të pasura të krahinës dhe do të bëjë atë që nuk kishin bërë kurrë as etërit e tij as etërit e etërve të tij; do të shpërndajë midis tyre plaçkë, plaçkën e luftës dhe pasuritë dhe do të hartojë plane kundër fortesave, por vetëm për një kohë.

25. Me një ushtri të madhe do t'i nxitë forcat e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të futet në luftë me një ushtri të madhe dhe shumë të fuqishme, por nuk do të mund të rezistojë, sepse do të kurdisen komplote kundër tij.

26. Vetë ata që hanë bashkë me të do ta shkatërrojnë; ushtria e tij do të thyhet dhe shumë do të bien të vrarë.

27. Zemra e këtyre dy mbretërve do të drejtohet për të bërë keq; ata do të flasin gënjeshtra të ulur në të njëjtën tryezë, por gjëja nuk do të ketë sukses, sepse fundi do t'u vijë në kohën e caktuar.

28. Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.

Danieli 11