5. ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.
6. Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të lustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.
7. Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.
8. Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.
9. Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.
10. Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.
11. Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.
12. Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.
13. Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.