2 Timoteut 4:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:

2. prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.

3. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët

4. dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i sjellin drejt përrallave.

5. Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.

6. Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.

7. Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.

8. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.

9. Përpiqu të vish shpejt tek unë,

10. sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.

11. Me mua është vetëm Luka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.

2 Timoteut 4