2 Timoteut 3:6-17 Bibla Shqip (ALBB)

6. Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,

7. të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.

8. Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.

9. Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.

10. Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,

11. përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikon, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.

12. Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,

13. por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.

14. Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

15. dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.

16. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

17. që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

2 Timoteut 3