2 i Samuelit 3:22-34 Bibla Shqip (ALBB)

22. Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe.

23. Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: "Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe".

24. Atëherë Joabi shkoi te mbreti dhe i tha: "Ç'bëre ashtu? Ja, Abneri të erdhi; pse u ndave me të dhe ai u largua?

25. Ti e di që Abneri, bir i Nerit, erdhi që të të mashtrojë, që të njohë lëvizjet e tua dhe për të mësuar tërë ato që bën ti".

26. Pasi u largua nga Davidi, Joabi dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e kthyen prapa nga hauzi i Sirahut pa e ditur Davidi.

27. Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t'i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij.

28. Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: "Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit.

29. Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!".

30. Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës.

31. Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: "Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!". Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit.

32. Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau.

33. Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: "A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla?

34. Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve".

2 i Samuelit 3