10. Ai u ngrit dhe i goditi filistenjtë, derisa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën. Atë ditë Zoti korri një fitore të madhe dhe populli shkoi pas tij vetëm për të bërë plaçkë.
11. Prapa tij vinte Shamahu, bir i Agesë, hararitit. Filistenjtë ishin mbledhur në një numër të madh në një fushë të mbjellë me thjerrëza. Populli ia kishte mbathur përpara filistenjve,
12. por Shamahu, ishte vendosur në mes të kampit dhe e mbrojti atë, dhe bëri kërdinë në radhët e filistenjve. Kështu Zoti korri një fitore të madhe.
13. Tre nga tridhjetë krerët zbritën në kohën e korrjes dhe erdhën te Davidi në shpellën e Adullamit, ndërsa një grup filistenjsh kishte ngritur kampin e tij në luginën e gjigantëve.
14. Davidi ndodhej atëherë në kala dhe kishte një garnizon filistenjsh në Betlem.
15. Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit, që është afër portës".
16. Të tre trimat çanë në mes të kampit të filistenjve dhe morën ujë nga pusi i Betlemit, pranë portës; pastaj e morën me vete dhe ia çuan Davidit. Por ai nuk desh ta pinte, por e derdhi përpara Zotit,
17. duke thënë: "Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.
18. Abishai, vëlla i Joabit dhe biri Tserujahut, ishte prijës i një treshe tjetër. Ngriti ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm në mes të treve.
19. Ishte më i dëgjuari i treshes; prandaj u bë dhe kryetari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.
20. Benajahu, bir i Jehojadit, bir i një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të mëdha. Vrau dy heronj të Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne ku vrau një luan, një ditë që binte borë.
21. Ai vrau gjithashtu një egjiptas gjigant që kishte në dorë një shtizë; por Benajahu i doli përballë me një bastun, i hoqi nga dora shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.
22. Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm ndër të tre trima.