1. Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit:
2. "Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.
3. Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: "Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë,
4. është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu".
5. A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?
6. Njerëzit e kobshëm do të hidhen tej të gjithë si gjembat, sepse nuk mund të kapen me duar.
7. Kush i prek duhet të armatoset me një hekur ose me shkopin e një ushte; ato digjen plotësisht në vend me zjarr".
8. Këto janë emrat e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Josheb-Bashshebethi, tahkemoniti, prijës i oficerëve kryesorë. Atë e quajtën Etseniti Adino; sepse kishte vrarë tetëqind njerëz në një herë të vetme.
9. Pas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, që ishte bir i Ahohit, një ndër tre luftëtarët trima që ishin me Davidin, kur sfiduan filistenjtë e mbledhur për të luftuar, ndërsa izraelitët ishin tërhequr.
10. Ai u ngrit dhe i goditi filistenjtë, derisa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën. Atë ditë Zoti korri një fitore të madhe dhe populli shkoi pas tij vetëm për të bërë plaçkë.