2 i Samuelit 20:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndodhej aty një keqbërës i quajtur Sheba, bir i Bikrit, një beniaminit , i cili i ra borisë dhe tha: "Nuk kemi asnjë pjesë me Davidin dhe asnjë trashëgimi me birin e Isait! O Izraelitë, secili të shkojë në çadrën e vet".

2. Kështu tërë njerëzit e Izraelit e braktisën Davidin për të ndjekur Shebin, birin e Bikrit. Por njerëzit e Judës mbetën të bashkuar me mbretin e tyre dhe e shoqëruan nga Jordani deri në Jeruzalem.

3. Kur mbreti David hyri në shtëpinë e tij në Jeruzalem, i mori të dhjetë konkubinat që kishte lënë për të ruajtur shtëpinë dhe i vendosi në një banesë të mbikëqyrur; ai i mbante ato, por nuk hynte te ato; kështu ato mbetën të mbyllura deri ditën e vdekjes së tyre, në një gjendje vejërie.

4. Pastaj mbreti i tha Amasas: "Më mblidh njerëzit e Judës brenda tri ditëve dhe ti vetë të jesh këtu".

5. Amasa u nis, pra, për të mbledhur njerëzit e Judës, por vonoi tej afatit të caktuar.

6. Atëherë Davidi i tha Abishait: "Sheba, biri i Bikrit, do të na bëjë më keq se Absalomi; merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe që të mos shtjerë në dorë qytete të fortifikuara dhe të na shpëtojë".

7. Nën komandën e tij shkuan njerëzit e Joabit: kerethenjtë, pelethenjtë dhe tërë njerëzit më trima; dolën nga Jeruzalemi për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.

8. Kur ata arritën pranë gurit të madh që është në Gabaon, Amasa u doli përpara. Joabi kishte veshur një uniformë ushtarake, mbi të cilën kishte brezin me një shpatë në këllëfin e ngritur me ijët; ndërsa po ecte përpara, shpata i ra.

9. Joabi i tha Amasas: "A je mirë, vëllai im?". Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur.

10. Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe të përbrendshmet e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit.

2 i Samuelit 20