2 i Samuelit 19:12-20 Bibla Shqip (ALBB)

12. Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?".

13. Dhe i thoni Amasas: "A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh përgjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit".

14. Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t'i thonë mbretit: "Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tu".

15. Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t'i dalë përpara mbretit dhe për t'i siguruar kalimin e Jordanit.

16. Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t'i dalë përpara Davidit.

17. Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit.

18. Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin,

19. Dhe i tha mbretit: "Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh.

20. Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim".

2 i Samuelit 19