2 i Samuelit 15:22-34 Bibla Shqip (ALBB)

22. Atëherë Davidi i tha Itait: "Shko përpara dhe vazhdo". Kështu Itai, giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të.

23. Tërë banorët e vendit qanin me zë të lartë, ndërsa tërë populli kalonte. Mbreti kapërceu përruan e Kidronit dhe tërë populli kaloi në drejtim të shkretëtirës.

24. Dhe ja po vinte edhe Tsadoku me tërë levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë Ata e vendosën arkën e Perëndisë dhe Abiathari ofroi flijime, derisa tërë populli mbaroi daljen nga qyteti.

25. Pastaj mbreti i tha Tsadokut: "Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij.

26. Por në rast se thotë: "Nuk të pëlqej", ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen"..

27. Mbreti i tha akoma priftit Tsadok: "A nuk je ti shikues? Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaatsin, birin tënd, dhe me Jonathanin, birin e Abiatharit.

28. Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, derisa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar".

29. Kështu Tsadoku dhe Abiathari e çuan përsëri në Jeruzalem arkën e Perëndisë dhe qëndruan aty.

30. Davidi mori të përpjetën e Malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur.

31. Dikush erdhi t'i thotë Davidit: "Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve". Davidi tha: "O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!".

32. Kur Davidi arriti në majë të malit; ku adhuroi Perëndinë, ja që doli përpara Hushai, arkiti, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

33. Davidi i tha: "Po të jetë se vazhdon rrugën me mua, do të më bëhesh barrë;

34. por në rast se kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: "Unë do të jem shërbëtori yt, o mbret; ashtu si kam qenë shërbëtor i atit tënd në të kaluarën, kështu do të jem shërbëtori yt"; ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit.

2 i Samuelit 15