13. Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".
14. Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t'ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".
15. Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".
16. Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.
17. Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.
18. Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë kerethenjtë, tërë pelethenjtë dhe tërë gitenjtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.
19. Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: "Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt.
20. Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri".