15. Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: "Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t'i thotë.
16. Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atyre që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë".
17. Shërbëtorja jote thoshte: "Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen". Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty".
18. Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: "Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: "Le të flasë mbreti, Zotëria im".
19. Atëherë mbreti tha: "A nuk është ndoshta dora e Joabit me ty në tërë këtë çështje?". Gruaja u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, zotëria im, çështja është pak a shumë ashtu siç e ka thënë mbreti, zotëria im; ka qenë në fakt shërbëtori yt Joabi ai që ka dhënë këto urdhra dhe ka vënë tërë këto fjalë në gojën e shërbëtores sate.
20. Shërbëtori yt Joab e bëri këtë gjë për të sjellë një ndryshim në gjendjen e tanishme; por zotëria im ka po atë dituri të një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar tërë ato që ndodhin mbi dhe".
21. Atëherë mbreti i tha Joabit: "Ja, do të bëj pikërisht këtë. Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom.
22. Atëherë Joabi u shtri me fytyrën për tokë, u përul dhe e bekoi mbretin. Pastaj Joabi tha: "Sot shërbëtori yt kupton se ka gjetur hirin tënd, o mbret, o imzot, sepse mbreti bëri atë që shërbëtori kishte kërkuar".
23. Kështu Joabi u ngrit dhe shkoi në Geshur, dhe e solli Absalomin në Jeruzalem.
24. Por mbreti tha: "Të mblidhet në shtëpinë e tij dhe të mos e shohë fytyrën time!". Kështu Absalomi u tërhoq në shtëpinë e tij dhe nuk e pa fytyrën e mbretit.
25. Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.
26. Kur priste flokët (dhe këtë e bënte çdo vit sepse flokët i rëndonin shumë), ai i peshonte flokët e kokës së tij; ato peshonin dyqind sikla sipas masave të caktuara nga mbreti.
27. Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë e quajtur Tamara, që ishte e hijshme.
28. Absalomi banoi dy vjet në Jeruzalem, pa e parë fytyrën e mbretit.
29. Pastaj Absalomi thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por ai nuk deshi të vinte; e dërgoi ta thërriste një herë të dytë, por ai nuk deshi të vinte.
30. Atëherë Absalomi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, ara e Joabit është pranë arës sime dhe aty ka elb; shkoni t'i vini zjarrin!". Kështu shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës.
31. Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit dhe i tha: "Pse shërbëtorët e tu i vunë zjarrin arës sime?".
32. Absalomi iu përgjigj Joabit: "Unë të kisha dërguar fjalë: "Eja këtu, që të kem mundësi të të dërgoj te mbreti për t'i thënë: Pse jam kthyer nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha mbetur atje". Tani më lejo të shoh fytyrën e mbretit. Në rast se tek unë ka ndonjë paudhësi, ai të shkaktojë vdekjen time".
33. Joabi shkoi atëherë te mbreti dhe ia tregoi çështjen. Ky thirri Absalomin që shkoi te mbreti dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara tij; dhe mbreti e puthi Absalomin.