2 i Mbretërve 9:17-26 Bibla Shqip (ALBB)

17. Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t'i takojë për t'i pyetur: "A sillni paqen?"".

18. Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".

19. Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".

20. Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmendur".

21. Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t'i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.

22. Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë derisa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".

23. Atëherë Jorami e ktheu drejtimin e qerres dhe iku me vrap duke i thënë Ashaziahut: "Tradhti, Ashaziah!".

24. Por Jehu e ndau harkun me të gjithë forcën e tij dhe e goditi Joramin midis shpatullave; shigjeta i shpoi zemrën dhe ai u plandos në qerren e tij.

25. Pastaj Jehu i tha Bidkarit, ndihmësit të tij: "Merre dhe hidhe në kampin e Nabothit të Jezreelit sepse më kujtohet, kur ti dhe unë shkonim me kalë bashkë me suitën e Ashabit, atit të tij, Zoti shqiptoi kundër tij këtë orakulli:

26. "Dje me siguri pashë gjakun e Nabothit dhe gjakun e bijve të tij", thotë Zoti, "dhe unë do të të shpërblej në po këtë fushë", thotë Zoti! Kape, pra, dhe hidhe në fushë, sipas fjalës së Zotit".

2 i Mbretërve 9