2 i Mbretërve 9:10-30 Bibla Shqip (ALBB)

10. Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.

11. Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".

12. Por ata thanë: "S'është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: "Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

13. Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

14. Kështu Jehu, bir i Josafatit, që ishte i biri i Nimshit, kurdisi një komplot kundër Joramit. (Por Jorami, me tërë Izraelin, ishte duke mbrojtur Ramothin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë;

15. pastaj mbreti Joram ishte kthyer nga Jezreeli për të shpëtuar plagët që i kishin shkaktuar sirët ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë). Jehu tha: "Në rast se mendoni në të njëjtën mënyrë, asnjeri të mos dalë nga qyteti për të njoftuar Jezreelin".

16. Pastaj Jehu hipi mbi një qerre dhe u nis për në Jezreel, sepse aty ndodhej i sëmurë Jorami, dhe Ashaziahu, mbret i Judës, kishte zbritur për të vizituar Joramin.

17. Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t'i takojë për t'i pyetur: "A sillni paqen?"".

18. Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".

19. Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".

20. Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmendur".

21. Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t'i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.

22. Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë derisa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".

23. Atëherë Jorami e ktheu drejtimin e qerres dhe iku me vrap duke i thënë Ashaziahut: "Tradhti, Ashaziah!".

24. Por Jehu e ndau harkun me të gjithë forcën e tij dhe e goditi Joramin midis shpatullave; shigjeta i shpoi zemrën dhe ai u plandos në qerren e tij.

25. Pastaj Jehu i tha Bidkarit, ndihmësit të tij: "Merre dhe hidhe në kampin e Nabothit të Jezreelit sepse më kujtohet, kur ti dhe unë shkonim me kalë bashkë me suitën e Ashabit, atit të tij, Zoti shqiptoi kundër tij këtë orakulli:

26. "Dje me siguri pashë gjakun e Nabothit dhe gjakun e bijve të tij", thotë Zoti, "dhe unë do të të shpërblej në po këtë fushë", thotë Zoti! Kape, pra, dhe hidhe në fushë, sipas fjalës së Zotit".

27. Duke parë këtë, Ashaziahu, mbret i Judës, iku me vrap nëpër rrugën e shtëpisë me kopsht, por Jehu, iu ndjek prapa dhe tha: "Bjerini, edhe atij me qerre". Dhe e gjuajtën në të përpjetën e Gurit, që është afër Ibleamit. Por ai iku në Megido, ku vdiq.

28. Atëherë shërbëtorët e tij e çuan mbi një qerre në Jeruzalem dhe e varrosën në varrin e tij bashkë me etërit e tij, në qytetin e Davidit.

29. Ashaziahu kishte filluar të mbretëronte mbi Judë, vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit.

30. Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë.

2 i Mbretërve 9