2 i Mbretërve 5:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?".

14. Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua.

15. Pastaj u kthye me gjithë suitën e tij te njeriu i Perëndisë, shkoi e u paraqit para tij dhe tha: "Tani e pranoj që nuk ka asnjë Perëndi në gjithë dheun, përveçse në Izrael. Prandaj tani prano një dhuratë, të lutem, nga shërbëtori yt".

16. Por ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, në prani të të cilit ndodhem, nuk kam për të pranuar asgjë". Naamani ngulte këmbë që të pranonte, por ai refuzonte.

17. Atëherë Naamani tha: "Me qenë se ti nuk do, lejo që t'i jepet shërbëtorit tënd aq tokë sa mund të mbajnë dy mushka, sepse shërbëtori yt nuk do t'u ofrojë më holokauste as flijime perëndive të tjera, por vetëm Zotit.

18. Megjithatë Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë: kur zoti im shkon në tempullin e Rimonit për të adhuruar dhe mbështetet në krahun tim, edhe do të bie përmbys në tempullin e Rimonit; Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë, kur unë do të bie përmbys në tempullin e Rimonit".

19. Profeti i tha: "Shko i qetë!". Kështu u nda prej tij dhe bëri një copë rrugë të mirë.

20. Por Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me veten e tij: "Ja, zoti im është sjellë tepër mirë me Naamanin, me këtë Sirian, duke mos pranuar nga dora e tij atë që ai kishte sjellë;

21. Kështu Gehazi ndoqi Naamanin; kur Naamani pa që ai vraponte prapa tij, u hodh nga qerrja për t'i dalë përballë dhe i tha: "A shkon çdo gjë mirë?".

22. Ai u përgjigj: "Çdo gjë mirë. Zoti im më dërgon të të them: "Ja, pikërisht tani kanë ardhur tek unë nga krahina malore e Efraimit dy të rinj nga dishepujt e profetëve; të lutem, jepu atyre një talent argjendi dhe dy palë rroba"".

23. Atëherë Naamani tha: "Të lutem, prano dy talenta!", dhe insistoi me të. Pastaj lidhi dy talenta prej argjendi, në dy thasët me dy palë rroba dhe ua dorëzoi dy prej shërbëtorëve të tij, që i bartën para tij.

24. Kur arriti në kodër, mori thasët nga duart e tyre, i rivendosi në shtëpi; pastaj i ktheu prapa njerëzit, që ikën.

2 i Mbretërve 5