1. Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: "Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur
2. Eliseu i tha: "Ç'duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?". Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj".
3. Atëherë ai i tha: "Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak.
4. Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen".
5. Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to.
6. Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: "Sillmë edhe një enë". Por ai iu përgjigj: "Nuk ka më enë". Dhe vaji u ndal.
7. Atëherë ajo shkoi t'ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: "Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke për të jetuar ti dhe bijtë e tu".
8. Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.
9. Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë.
10. Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë".
11. Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri.
12. Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij.