2 i Mbretërve 25:2-14 Bibla Shqip (ALBB)

2. Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.

3. Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.

4. Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.

5. Por ushtria e kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.

6. Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.

7. Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhirë prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.

8. Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojës personale, shërbëtor i mbretit të Babilonisë.

9. Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.

10. Kështu tërë ushtria e kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.

11. Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.

12. Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfrit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.

13. Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.

14. Ata morën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.

2 i Mbretërve 25