11. Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.
12. Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfrit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.
13. Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.
14. Ata morën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.
15. Kapiteni i rojës mori gjithashtu mangallet dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.
16. Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
17. Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.
18. Kapiteni i rojës mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.
19. Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
20. Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojës, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;
21. dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.
22. Sa për popullin që mbeti në vendin e Judës, që e kishte lënë Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, ky vuri në krye të tij Gedaliahun, birin e Ahikamit, që ishte bir i Shafanit.
23. Kur tërë kapitenët e trupave dhe njerëzit e tyre dëgjuan që mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun si qeveritar, shkuan te Gedaliahu në Mitspah; ata ishin Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani, bir i Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit nga Netofahu, Jaazaniahu, bir i një Maakathitit, së bashku me njerëzit e tyre.