2 i Mbretërve 18:12-25 Bibla Shqip (ALBB)

12. sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë.

13. Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

14. Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t'i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari.

15. Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit.

16. Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë.

17. Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan

18. Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti.

19. Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t'i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?

20. A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?

21. Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

22. Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?

23. Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.

24. Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.

25. Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".

2 i Mbretërve 18