16. Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
17. kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
18. Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
19. As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.
20. Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, derisa i përzuri nga prania e tij.
21. Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.
22. Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,
23. derisa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.
24. Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.
25. Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.
26. Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".