1. Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Pekahiahut, birit të Remaliahut, filloi të mbretërojë Ashazi, biri i Jothamit, mbret i Judës.
2. Kur filloi të mbretërojë, Ashazi ishte njëzet vjeç dhe qëndroi në fron gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si kishte bërë Davidi, ati i tij;
3. por ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëri madje të kalojë nëpër zjarr edhe të birin, sipas riteve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit;
4. përveç kësaj bënte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta, në kodrat dhe poshtë drurëve që gjelbëronin.
5. Atëherë Retsini, mbret i Sirisë, dhe Pekahu, bir i Remaliahut, dolën për të luftuar kundër Jeruzalemit; rrethuan aty Ashazin, por nuk arritën ta mundin.
6. Në atë kohë Retsini, mbret i Sirisë, ripushtoi Elathin dhe përzuri judenjtë nga Elathi; kështu sirët hynë në Elath dhe kanë mbetur atje deri ditën e sotme.
7. Ashazi i dërgoi lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të asirëve, për t'i thënë: "Unë jam shërbëtori dhe biri yt; dil dhe më çliro nga duart e mbretit të Sirisë dhe të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje".