1. Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, filloi të mbretërojë Azariahu, bir i Amatsiahut dhe mbret i Judës.
2. Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.
3. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Amatsiahu.
4. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi, populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.
5. Pastaj Zoti goditi mbretin, që u bë lebros deri në ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar; Jothami, bir i mbretit ishte mbikëqyrësi i pallatit mbretëror dhe i siguronte drejtësinë popullit të vendit.
6. Pjesa tjetër e bëmave të Azariahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
7. Kështu Azariahun e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotham.
8. Vitin e tridhjetetetë të Azariahut, mbretit të Judës, Zakaria, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe e mbajti fronin gjashtë muaj.
9. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishin bërë etërit e tij; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte çuar në mëkat Izraelin.
10. Pastaj Shalumi, bir i Jabeshit, kurdisi një komplot kundër tij; e goditi dhe e vrau përpara popullit, dhe mbretëroi në vend të tij.
11. Pjesa tjetër e bëmave të Zakarisë a nuk është shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
12. Kjo ishte fjala e Zotit që i kishte thënë Jehut: "Bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt". Dhe kështu ndodhi.
13. Shalumi, bir i Jabeshit, filloi të mbretërojë vitin e tridhjetenëntë të Uziahut, mbretit të Judës, dhe mbretëroi plot një muaj në Samari.
14. Pastaj Menahemi, bir i Gadit, doli nga Titrtsahu dhe hyri në Samari; në Samaria goditi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.