1. Vitin e dytë të Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Amatsiahu, bir i Joasit, mbret i Judës.
2. Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan, ishte nga Jeruzalemi.
3. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, ati i tij; bëri gjithçka ashtu siç kishte vepruar Joasi, ati i tij.
4. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.
5. Sa filloi të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi mbretërinë, ai i vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë të atin, mbretin;
6. por nuk vrau bijtë e vrasësve, sipas asaj që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, në të cilin Zoti ka urdhëruar duke thënë: "Etërit nuk do të dënohen me vdekje për bijtë e tyre, as bijtë nuk do të vriten për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".
7. Ai vrau dhjetë mijë idumenj në luginën e Kripës; dhe me luftë pushtoi Selën dhe i vuri emrin Joktheel, që ka mbetur deri më sot.
8. Atëherë Amatsiahu i dërgoi lajmëtarë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit, për t'i thënë: "Eja, të ndeshemi njëri me tjetrin në betejë".
9. Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t'i thonë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i dërgoi fjalë cedrit të Libanit: "Jepi tët bijë për grua birit tim". Por andej kaloi një kafshë e egër e Libanit dhe e shkeli gjembin.