2 i Mbretërve 12:8-16 Bibla Shqip (ALBB)

8. Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli, as edhe të ndreqnin dëmtimet e tempullit.

9. Pastaj prifti Jehojada mori një arkë, hapi një vrimë në kapakun e saj dhe e vendosi përbri altarit, në krahun e djathtë të atij që hyn në shtëpinë e Zotit; priftërinjtë që ruanin hyrjen vendosën aty tërë paratë e sjella në shtëpinë e Zotit.

10. Kur ata shihnin që në arkë kishte shumë para, atëherë vinin sekretari i mbretit dhe kryeprifti që i vinin paratë në qese dhe numëronin paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit.

11. Pastaj paratë që ishin peshuar i dorëzonin në duart e atyre që kryenin punë, të cilëve u ishte besuar mbikëqyrja e shtëpisë së Zotit; dhe këta ua kalonin marangozëve dhe ndërtuesve që punonin në shtëpinë e Zotit,

12. muratorëve dhe gdhendësve, për të blerë dru dhe gurë të latuar, të nevojshëm për të ndrequr dëmtimet e shtëpisë së Zotit dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e bëra për ndreqjen e tempullit.

13. Por me paratë e sjella në shtëpinë e Zotit nuk u bënë, për shtëpinë e Zotit, as kupa prej argjendi, as pastrues, as enë, as bori, asnjë send ari ose asnjë send argjendi;

14. paratë u jepeshin vetëm atyre që kryenin punimet, të cilët i përdornin për të restauruar shtëpinë e Zotit.

15. Përveç kësaj nuk u kërkohej asnjë llogari atyre që u ishin dorëzuar paratë, të cilat duhet t'u jepeshin zbatuesve të punimeve, sepse këta punonin me përpikmëri.

16. Paratë e flijimeve të shlyerjes dhe ato të flijimeve për mëkatet nuk çoheshin në shtëpinë e Zotit; ato ishin për priftërinjtë.

2 i Mbretërve 12