10. Prifti u dha komandantëve të qindësheve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit.
11. Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit.
12. Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".
13. Kur Athaliahu dëgjoi zhurmën e rojeve dhe të popullit, shkoi në drejtim të popullit në shtëpinë e Zotit.
14. Vështroi dhe e pa mbretin në këmbë mbi podiumin, sipas zakonit; kapitenët dhe borizanët ishin afër mbretit, ndërsa tërë populli i vendit ishte në festë dhe u binte borive. Atëherë Athaliahu grisi rrobat e saj dhe bërtiti: "Tradhti, tradhti!".
15. Por prifti Jehojada urdhëroi komandantët e qindësheve, që komandonin ushtrinë, dhe u tha atyre: "Nxirreni jashtë nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Në fakt prifti kishte thënë: "Mos lejoni që ajo të vritet në shtëpinë e Zotit".
16. Kështu e kapën dhe, sa po arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.
17. Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje midis Zotit, mbretit dhe popullit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit; lidhi gjithashtu një besëlidhje midis mbretit dhe popullit.
18. Atëherë tërë populli i vendit shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi; i bëri copë-copë tërë altarët dhe shëmbëlltyrat e tij, vrau para altarëve Matanin, priftin e Baalit. Pastaj prifti Jehojada vendosi roje rreth shtëpisë së Zotit.
19. Pastaj mori komandantët e qindësheve të rojeve personale të mbretit dhe të rojeve dhe tërë popullin e vendit; këta bënë që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit dhe, duke ndjekur rrugën e portës së rojeve e çuan në shtëpinë e mbretit, ku ai u ul në fronin e mbretërve.
20. Kështu populli i vendit bëri festë dhe qyteti mbeti i qetë, sepse kishin vrarë me shpatë Athaliahun në shtëpinë e mbretit.