2 i Kronikave 6:26-42 Bibla Shqip (ALBB)

26. Kur qielli do të jetë i mbyllur dhe nuk do të ketë shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se ata luten të drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke përulur,

27. ti dëgjo nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, të Izraelit, duke u mësuar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

28. Kur në vend do të ketë zi buke apo murtajë, ndryshk ose blozë, dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku do t'i rrethojë në vendin e tyre, o në qytetet e tyre, kur do të pëlcasë një fatkeqësi ose një epidemi çfarëdo,

29. çdo lutje, çdo kërkesë për falje që do të të drejtohet nga çfarëdo individ apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili ka pranuar plagën e tij dhe dhembjen e tij dhe ka zgjatur duart e tij ndaj këtij tempulli,

30. ti dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, dhe fali; dhe jepi secilit sipas sjelljes së vet, ti që njeh zemrën e secilit (vetëm ti në të vërtetë njeh zemrën e bijve të njerëzve),

31. me qëllim që ata të të kenë frikë dhe të ecin në rrugët e tua për gjithë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.

32. Kur i huaji, që nuk i përket popullit të Izraelit, do të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd të madh, të dorës sate të fuqishme dhe të krahut tënd të shtrirë, kur do të vijë të të lutet duke u kthyer nga ky tempull,

33. ti dëgjo nga qielli, nga vendi i banesës sate, dhe jepi të huajit ato që të kërkon, me qëllim që tërë popujt e tokës të njohin emrin tënd dhe të kenë frikë nga ti, ashtu si bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.

34. Kur populli yt do të hyjë në luftë kundër armiqve të tij duke ndjekur rrugën nëpër të cilën e dërgove, në rast se të luten duke u drejtuar ndaj këtij qyteti që ti ke zgjedhur dhe ndaj tempullit që unë kam ndërtuar në emrin tënd,

35. dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën për falje dhe përkrah çështjen e tyre.

36. Kur do të kryejnë mëkate kundër teje (sepse nuk ka njeri që të mos kryejë mëkate) dhe ti, i zemëruar kundër tyre, do t'i braktisësh në dorë të armiqve që do t'i internojnë në një vend të largët ose të afërt,

37. në qoftë se në vendin ku janë internuar vijnë në vete, kthehen ndaj teje dhe të luten fort në vendin e robërisë së tyre, duke thënë: "Kemi kryer mëkate, kemi vepruar padrejtësisht, kemi bërë të keqen",

38. në rast se kthehen me gjithë zemër dhe me tërë shpirt në vendin e robërisë së tyre ku janë shpërngulur dhe të luten duke u drejtuar ndaj vendit të tyre, ndaj qytetit që ti ke zgjedhur dhe tempullit që kam ndërtuar në emrin tënd,

39. dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, lutjen dhe përgjërimin e tyre, përkrah çështjen e tyre dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje!

40. Tani, o Perëndia im, mbaj sytë hapur dhe dëgjo me vëmendje lutjen që bëhet në këtë vend!

41. Tani, pra, çohu, o Zot Perëndi, dhe eja në vendin e çlodhjes sate, ti dhe arka e forcës sate. Qofshin priftërinjtë e tu, o Zot Perëndi, të veshur me shpëtimin dhe u ngazëllofshin në mirësi shenjtorët e tu.

42. O Zot Perëndi, mos e kthe fytyrën e të vajosurit tënd; mbaj mend favoret që i ke bërë Davidit, shërbëtorit tënd!".

2 i Kronikave 6