2 i Kronikave 4:11-22 Bibla Shqip (ALBB)

11. Hirami bëri gjithashtu enët, lopatëzat dhe legenët e vegjël. Kështu Hirami përfundoi punën që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Perëndisë;

12. dy shtyllat, dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëzat për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave,

13. katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz me qëllim që të mbulohen dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave).

14. Bëri edhe qerrëzat dhe enët e mëdha mbi qerrëzat,

15. detin, një të vetëm, dhe dymbëdhjetë qetë nën detin,

16. si edhe enët, lopatëzat, pirunët dhe të gjitha sendet e tyre, që mjeshtri Hiram i bëri prej bronzi të shndritshëm për mbretin Salomon, për shtëpinë e Zotit.

17. Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit, në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.

18. Salomoni i bëri këto vegla në një sasi kaq të madhe, sa që pesha e bronzit nuk u përcaktua dot.

19. Kështu Salomoni përgatiti të gjitha orenditë për shtëpinë e Perëndisë; altarin prej ari dhe tryezat mbi të cilat vendoseshin bukët e paraqitjes,

20. shandanët me llambat e tyre prej ari të kulluar që duhet të ndizeshin sipas normës së caktuar para shenjtërores;

21. lulet, llambat dhe veglat në formë gërshëre prej ari; ishin prej ari shumë të kulluar;

22. thikat, legenët, kupat dhe mangallet prej ari të kulluar. Sa për hyrjen e tempullit, portat e brendshme që të çonin në vendin shumë të shenjtë dhe portat që të futnin në anijatën e tempullit ishin prej ari.

2 i Kronikave 4