2 i Kronikave 35:3-14 Bibla Shqip (ALBB)

3. Pastaj u tha levitëve që udhëzonin tërë Izraelin dhe që i ishin shenjtëruar Zotit: "Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin e ndërtuar nga Salomoni, bir i Davidit, mbret i Izraelit; ajo nuk do të jetë më barrë për shpatullat tuaja. Tani shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, dhe popullit të tij të Izraelit.

4. Vendosuni sipas shtëpive tuaja atërore, sipas klasave tuaja, në bazë të udhëzimeve të shkruara të Davidit, mbretit të Izraelit, dhe të Salomonit, birit të tij;

5. qëndroni në shenjtërore sipas ndarjeve të shtëpive atërore të vëllezërve tuaj, bij të popullit, dhe pjesa e shtëpisë atërore të levitëve.

6. Flijoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në dispozicion të vëllezërve tuaj, duke ndjekur fjalën e Zotit të transmetuar me anë të Moisiut".

7. Pastaj Josia u dha njerëzve të popullit, gjithë atyre që ishin të pranishëm, bagëti të imta, qengja dhe keca, gjithsej tridhjetë mijë kokë, të tëra për Pashkët, si edhe tre mijë qe; kjo vinte nga pasuria e mbretit.

8. Edhe princat i bënë një dhuratë spontane popullit, priftërinjve dhe levitëve. Hilkiahu, Zakaria dhe Jehieli, drejtues të shtëpisë së Perëndisë, u dhanë priftërinjve për flijimet e Pashkës dy mijë e gjashtëqind qengja dhe keca si edhe treqind qe.

9. Përveç kësaj Konaniahu, bashkë me vëllezërit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeieli dhe Jozabadi, krerë të levitëve, u dhanë levitëve për flijimet e Pashkës pesë mijë qengja dhe keca si edhe pesëqind qe.

10. Sa u përgatit shërbimi, priftërinjtë zunë vendet e tyre, dhe levitët sipas klasave të tyre, në bazë të urdhrit të dhënë nga mbreti.

11. Pastaj flijuan Pashkën; priftërinjtë e spërkatnin gjakun me duart e tyre, ndërsa levitët rripnin kafshët.

12. Kështu vunë mënjanë holokaustet për t'ua shpërndarë bijve të popullit, sipas ndarjeve të shtëpive atërore, me qëllim që t'ia ofronin Zotit, siç është shkuar në librin e Moisiut. Vepruan njëlloj me qetë.

13. Pastaj poqën qengjat e Pashkës mbi zjarr sipas normave të përcaktuara; por ofertat e tjera të shenjtëruara i gatuan në tenxhere, në kazanë dhe në tiganë dhe ua shpërndanë menjëherë tërë bijve të popullit.

14. Pastaj përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, bijtë e Aaronit, ishin të zënë deri në mbrëmje për të ofruar holokaustet dhe pjesët me dhjamë; kështu levitët përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, bij të Aaronit.

2 i Kronikave 35