2 i Kronikave 34:3-17 Bibla Shqip (ALBB)

3. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ende ishte djalosh, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi ta pastrojë Judën dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë.

4. Para tij u shembën altarët e Baalit; përveç tyre shembi altarët e temjanit që ishin mbi ta, bëri copë-copë Asherimët, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë dhe i bëri pluhur, të cilin e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin ofruar flijime.

5. Pastaj dogji kockat e priftërinjve mbi altarët e tyre, dhe kështu pastroi Judën dhe Jeruzalemin.

6. Të njëjtën gjë bëri në qytetet e Manasit, të Efraimit dhe të Simeonit deri në Neftali, me sëpatat e tyre rreth e qark.

7. Kështu ai shkatërroi altarët dhe Asherimët, i bëri pluhur shëmbëlltyrat e gdhendura dhe rrëzoi tërë altarët e temjanit në gjithë vendin e Izraelit, pastaj u kthye në Jeruzalem.

8. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, dërgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maaseiahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin,

9. Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dorëzuan paratë që kishin sjellë në shtëpinë e Perëndisë, që derëtarët levitë kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe tërë pjesa tjetër e Izraelit, nga tërë Juda dhe Beniamini dhe nga banorët e Jeruzalemit.

10. Pastaj ua dorëzuan punëtorëve të ngarkuar me mbikëqyrjen e shtëpisë të Zotit, të cilët ua dhanë punëtorëve që punonin në shtëpinë e Zotit për ta riparuar dhe për të restauruar tempullin.

11. Ua dorëzuan marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe lëndë druri për armaturat dhe trarët e shtëpive që mbretërit e Judës kishin shkatërruar.

12. Këta njerëz e bënin punën e tyre me besnikëri. Mbikëqyrësit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, levitë nga bijtë e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijtë e Kehathit, dhe tërë levitët që ishin specialistë të veglave muzikore.

13. Këta mbikëqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë.

14. Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut.

15. Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit.

16. Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë.

17. Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikëqyrësve dhe të punëtorëve".

2 i Kronikave 34